Fjalimi i një diktatori të ri

Aktualiteti Comments Off

Sot u mbajt Kongresi i radhës i Partisë Socialiste. Kryetari i saj dhe kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim që në gjuhën e familjes së tij politike mund të quhet « historik », sepse me këtë fjalim hyn në radhën e diktatorëve më të ri të botës. Shqipëria nuk është ende një diktaturë por një « demokraturë » d.m.th një diktaturë ku ende votohet dhe opozita shpreson të fitojë zgjedhjet. Megjithëse qeveria ia ka gjetur anën të « fitojë » gjithmonë zgjedhjet. Në kuvendin e sotëm ka ende një grup të konsiderueshëm deputetësh të opozitës dhe ishte e pak e vështirë të kalohej menjëherë në fazën « diktaturë ». Por në zgjedhjet e ardhshme, ku Edi Rama parashikon një fitore të madhe, dhe siç e tha edhe vetë « parashikimet i dalin », ndoshta opozita do të ketë vetëm një grusht deputetësh. Do të jetë e lehtë atëherë që Partia (d.m.th PS) ta rivendosë diktaturën e saj. Ndoshta do të vazhdojë të ketë zgjedhje, por do të fitojë gjithmonë Partia, ashtu si gjatë diktaturës komuniste. 

Edi Rama sot foli si diktator para kohe. 

Të gjithë diktatorët denigrojnë kundërshtarët e tyre, për të cilët thonë jo vetëm se venë në drejtim të gabuar, por edhe se nuk janë të aftë. Të gjithë diktatorët lavdërojnë veten e tyre dhe besojnë dhe trumbetojnë se janë ata të vetmit që mund ta shpëtojnë popullin, të ndërtojnë vendin apo të bëjnë shtet. 

Të gjithë diktatorët denigrojnë gazetarët dhe shtypin e lirë, të cilin Edi Rama e quan « kazan mediatik ». Edi Rama sot u kërkon shqiptarëve të mos e lexojnë median, por t’i besojnë fjalës së tij, ose mediave të tij.

Të gjithë diktatorët duan të jenë të përjetshëm. Edi Rama tha se do të jenë në pushtet edhe 100 vjet! Nuk është thjesht një batutë, por është një program diktatorial. Kështu thuhej edhe në kohën e diktaturës komuniste. Kështu thotë që nga Koreja e Veriut e deri në Afrikë çdo diktator i cili qëndron në pushtet deri sa ia ka shkruar Perëndia dhe përpiqet t’ua kalojë atë trashëgimtarëve të tij.

Të gjithë diktatorët luftojnë votën e lirë. Shqipëria sot nuk ka demokraci sepse baza e demokracisë është vota e lirë dhe ajo sot nuk ekziston në Shqipëri. Sepse vota blihet, vidhet, tjetërsohet dhe rezultati deformohet nga PS. Ka me dhjetra prova, fakte e dëshmi për këtë që mediat nuk reshtin së transmetuari. Por as këto nuk e prekin « kalanë » e Partisë  sepse është një sistem i tërë i implikuar që herë pas here sakrifikon ndonjë element të tij për të dalë i palagur.

Të gjithë diktatorët nuk pranojnë të ikin. Shqipëria sot nuk ka demokraci sepse rotacioni i pushtetit është bërë i pamundur nga Partia shtet. Vetëm PS mund ta bëjë Shqipërinë thotë Edi Rama. Po përse ka rotacion në vendet demokratike? Përse mandati i presidentëve është i kufizuar në kohë në SHBA apo në Francë? A nuk mendoni se ka politikanë po aq të zotë sa Edi Rama që mund të qëndronin në pushtet për 20 apo 30 vjet në këto vende ? Patjetër, por ata i binden rregullave të demokracisë, kontribojnë në dy mandate dhe largohen. 

Edi Rama, ndyshe nga ajo që thotë, nuk dëshiron të bëj shtet, por diktaturë. Nuk duhet të gënjehemi nga dekoret madhështore të kongreseve të Partisë, as nga pamjet me dron që Edi Rama publikon. Nuk duhet të  gënjehemi as nga moria e mediave sot, as nga fasada gjoja demokratike e Shqipërisë sot. Ato nesër nuk do të ekzistojnë. Realiteti me dron është një iluzion sikurse ngjyrat e shumta të pallateve të komunizmit që nga brenda mbeten ato që kanë qenë. Shqipëria mund të duket e bukur për një turist apo për një emigrant që rri dy javë dhe ikën, por është e pajetueshme për një shqiptar që duhet të jetojë aty gjithë vitin dhe të fitojë bukën e gojës. Pamjet me dron nuk e ndihmojnë, sepse nuk ka punë, nuk ka siguri, nuk ka liri të vërtetë sepse patronazhisti nuk është shumë larg. Bukuritë e natyrës shqiptare nuk janë për të sepse nuk ka as kohën dhe as mundësinë financiare. Shqiptari i thjeshtë është sot i diskriminuar në vendin e vet. Prandaj ai ikën në vende të tjera, ku ndoshta do të bëjë punë të vështira, do t’i duhet të përshtatet me një vend të ri, me një gjuhë tjetër, me njerëz të tjerë, por të paktën do të ketë mundësira, do të ketë projekte dhe sidomos do të ketë lirinë dhe sigurinë që nuk ia ofron vendi i tij.

Ështe jashtëzakonisht zhgënjyese që Shqiptarët që vuajtën 50 vjet në një diktaturë komuniste, që e rrëzuan atë në fillim të viteve ’90 dhe që shpresuan se tani kaluan në demokraci, sikurse të gjitha vendet e tjera europiane, tani të rikthehen edhe një herë në një neo-diktaturë komuniste. Sepse Rilindja e trumbetuar nga PS nuk ishte Rilindja Kombëtare por Rilindja Socialiste. Dhe ja e kemi sot para syve projektin e Rilindjes Socialiste në fazën e tij përfundimtare. 

Por mbetet edhe një mundësi e fundit: zgjedhjet e vitit 2025 ! Shqiptarët ende e kanë mundësinë që me votën e tyre ta mbajnë Shqipërinë në rrugën e demokracisë dhe të bëjnë që planet e Rilindjes Socialiste të dështojnë. Sigurisht që është tejet e vështirë sepse PS ka ndërtuar një mekanizëm efikas të deformimit të votës të cilin do ta përdorë pa dyshim në zgjedhjet e vitit 2025. Të mos harrojmë që në zgjedhjet vendore të vitit 2023 PS fitoi në 90% të bashkive.

Megjithatë ka diçka të re që mund ta bllokojë makinën elektorale të PS: vota e emigrantëve. Nuk ka asnjë garanci që kjo do të funksionojë, sepse do të ketë shumë pengesa. Por është një mundësi reale. Edi Rama e ka pranuar këtë ndoshta për të treguar se edhe emigrantët janë me të dhe për të legjitimuar diktaturën e tij të re tek të gjithë shqiptarët, edhe tek emigrantët. U takon emigrantëve, ashtu si gjithë shqiptarëve, që të marrin përgjegjësinë e tyre dhe t’i bëjnë pyetjen vetes: a duam që Shqipëria nesër të jetë një diktaturë? A duam që edhe njëherë të jetojmë atë që jetuam në komunizëm?

Xhemil Meço

Author

Back to Top