Përse armatoset Serbia ?
Aktualiteti 28 Gusht, 2024, Comments OffGazeta franceze « La Tribune » e dates 26 gusht 2024 njofton se kompania franceze e armatimit « Dassaut Aviation » ka përfunduar negociatat me Serbinë për shitjen kësaj të fundit të 12 avionëve luftarakë « Rafale F4 ». Marrëveshja përfundimtare pritet të nënshkruhet në fund të kësaj jave në Beograd nga përfaqësuesit politikë të dy vendeve. Në Ballkan me kët tip avioni janë të pajisur edhe forcat ajrore të Kroacisë (12 avionë) dhe të Greqisë.
Qëllimi i përgjegjësve politikë francezë lidhet me luftën Ukrainë-Rusi dhe është që të mbajnë në anën e Perëndimit Serbinë dhe të evitohet që ky vend të blejë armatim rus apo kinez, duke ruajtur perspektivën e hyrjes në një të ardhme në NATO. Me sa duket me të njëjtin objektiv para disa kohësh kancelari gjerman Olaf Scholz nënshkroi një marrëveshje me Serbinë për shfrytëzimin e rezervave të litiumit që gjenden në këtë vend dhe që parashikohet të përdoren për bateritë e makinave elektrike, një sektor me rëndësi i së ardhmes dhe aktualisht në zhvillim të madh.
Kjo përsa i përket anës racionale. Por Serbia është vend iracional dhe rrezikon t’i shikojë punët ndryshe. Megjithëse Presidenti francez Emanuel Macron në mes të muajit korrik nënvizonte pritshmërinë e tij për angazhimin e presidentit serb Aleksandar Vucic « në favor të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, për mbështetjen e ndërmjetësimit europian dhe implementimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit », Serbia rrezikon ta lexojë nënshkrimin e kësaj kontrate në një mënyrë krejt tjetër.
Nëse Serbia armatoset sot, qëllimi i saj kryesor është në radhë të parë të rikthejë Kosovën nën sundimin e saj. Këtë autoritetet serbe nuk kanë reshtur së përsërituri për vite me radhë. Nuk kemi arsye të mos u besojmë. Për më tepër kanë dhënë prova për këtë, me sulmin e Banjskës, me vendosjen e bazave ushtarake përreth Kosovës, me sabotimin e gjithanshëm të shtetit të Kosovës etj. E vetmja gjë që e pengon Serbinë sot të sulmojë Kosovën është prezenca e KFOR-it aty, ndaj fuqisë ushtarake të të cilit Serbia është tejet inferiore. Por Serbia shpreson se situata ndërkombëtare një ditë do të ndryshojë dhe Kosova nuk do ta ketë më përkrahjen e vendeve që përbëjnë forcën e KFOR-it, dhe që ky i fundit një ditë të largohet.
Dhe atë ditë Serbia shpreson se do të mund t’i përdorë këta avionë kundër shqiptarëve. Ky është leximi që Serbia i bën nënshkrimit të kësaj kontrate. Pra një mjet që mund ta përdorë në radhë të parë kundër Kosovës dhe më vonë edhe për krijmin e Serbisë së madhe duke sulmuar përveç Kosovës edhe Bosnjë-Hercegovinën dhe Kroacinë.
Për shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri nënshkrimi i kësaj kontrate duhet të jetë një sinjal alarmi. Sepse megjithëse sot prezenca e KFOR-it pengon sulmin serb, nuk e dimë se si do të jetë konteksti ndërkombëtar nesër ose pas disa vitesh, qoftë në SHBA qoftë në Europë. Situata e brendshme politike e këtyre vendeve është aktualisht e brishtë dhe nuk është e pamundur që forca politike të caktuara të jenë më dashamirëse ndaj Serbisë apo më pak të interesuara ndaj Kosovës, Shqiptarëve dhe rendit aktual botëror.
Në këtë situatë e vetmja mënyrë veprimi e Shqiptarëve, si në Kosovë edhe në Shqipëri, është armatosja për të përballuar sulmin e pritshëm nga Serbia. Në kushte normale do të ishte dashur një bashkëpunim midis dy shteteve shqiptare për të përcaktuar një strategji të përbashkët me ndihmën e ekspertëve ushtarakë. Është për t’u shënuar se forca ajrore luftarake shqiptare është thuajse inekzistente dhe është koha e fundit që të investohet seriozisht në këtë fushë.
Sot Shqiptarët ndodhen në një moment kyç të historisë dhe kanë një mundësi reale ta zgjidhin çështjen kombëtare shqiptare me bashkimin e dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës në një shtet të vetëm kombëtar. Sa më shumë kalon koha dhe aq më e qartë bëhet se Shqipëria Etnike është e vetmja zgjidhje e vërtetë. Çdo zgjidhje tjetër do të jetë e përkohshme, e paplotë, e papërfunduar dhe e pasigurt për kombin shqiptar sepse rrezikon të ripërsëris tragjeditë që ai ka kaluar gjatë shekullit të kaluar.
Xhemil Meço