Me cilin koalicion duhet të futet në zgjedhje « Balli Kombëtar » ?

Aktualiteti Comments Off

Pas disa muajsh, në gjysmën e parë të vitit 2025, në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme për Kuvend. Këto zgjedhje zhvillohen në një moment kritik sepse do të përcaktojnë jo vetëm të ardhmen e Shqipërisë, por do të kenë një ndikim të madh edhe për të ardhmen e Kosovës dhe për vendin që do të zënë Shqiptarët në rajon. Pra për rrugën që do të marrë çështja kombëtare shqiptare. Për këto arsye është një domosdoshmëri historike që nacionalizmi shqiptar dhe Balli Kombëtar të përfaqësohen në Kuvendin e ardhshëm për të paraqitur aty programin dhe zgjidhjen e tyre për çështjen kombëtare shqiptare.

Në këto kushte shtrohet pyetja se si do të marrë pjesë Balli Kombëtar në këto zgjedhje. Sigurisht në anën e opozitës duke patur parasysh politikën anti-kombëtare të qeverisë aktuale socialiste, veçanërisht në raport me Kosovën. Por fatkeqësisht opozita shqiptare me sa duket nuk do të hyjë në këto zgjedhje e unifikuar. Atëhere për çdo forcë apo parti politike të opozitës shtrohet pyetja se si do të hyjë në këto zgejdhje. Natyrisht çdo parti mund të hyjë e vetme në zgjedhej dhe kjo mbetet gjithmonë një mundësi e mirë sepse i lejon partisë të punojë për programin e saj të plotë. Por dalja vetëm e partive shpërndan votat e opozitës dhe zvogëlon shanset e fitores kundër pozitës aktuale. Prandaj duhet të përdoret si zgjidhja e fundit., në rast se të gjitha zgjidhjet e tjera dështojnë.

Do të ishte më e arësyshme që një parti e opozitës të paraqitej në zgjedhje brenda një koalicioni zgjedhor. Me sa duket për zgjedhjet e ardhshme do të kemi disa koalicione zgjedhore të opozitës dhe partitë e opozitës do të kenë disa opsione. Peisazhi politik në Shqipëri ende nuk është konfiguruar plotësisht, por që sot Balli Kombëtar mund të shtrojë pyetjen nëse duhet të dalë në zgjedhjet e ardhshme brenda kolaicionit « Bashkë fitojmë » ku gjendet sot.

Mendimi im është që jo dhe kjo për disa arsye. Në radhë të parë ky koalicion nuk përputhet me vlerat themelore të nacionalizmit shqiptar dhe me vlerat e Ballit Kombëtar i cili çështjen kombëtare e ka të shenjtë dhe nuk mund të tolerojë lojra me këtë çështje. Mirëpo koalicioni « Bashkë fitojmë » tregoi vitin e kaluar jo një por dy herë se çështja kombëtare nuk i intereson shumë kur vendosi si kandidat për bashkinë e Himarës dy përfaqësues të idesë së Vorio-Epirit. Ideja e Vorio-Epirit, që do të thotë në greqisht « Epiri i Veriut » është as më shumë dhe as më pak se aneksimi i disa krahinave të Shqipërisë së Jugut nga Greqia. Mjafton t’i hedhim një sy historisë së fillimit të shekullit të kaluar për të parë se sa e rrezikshme u tregua kjo ide për integritetin territorial të Shqipërisë dhe me sa vështirësi u tejkalua ky problem. Prandaj qëndrimi i Ballit Kombëtar në koalicionin « Bashkë Fitojmë » është i pamundur nëse ai respekton thjesht programin e tij. Për më tepër veprime ai ato të vitit që kaloi ky koalicion ka shumë të ngjarë t’i përsëris, sepse me sa duket nuk e kupton me të vërtetë çështjen kombëtare, por e përdor atë vetëm për demagogji kur i intereson.

Ndoshta do të ketë që do thonë se dalja nga ky koalicion dhe hyrja në një koalicion tjetër do të shpërndajë votat. Por dalja me disa koalicione nuk është përgjegjësia e Ballit Kombëtar dhe vendimi se me cilin koalicion rreshtohet nuk do të ndikojë në rezultatin final të opozitës.

Ndoshta do të ketë që do të thonë se shumica e votuesve të Balli Kombëtar votojnë vetëm kur ky është në një koalicion të drejtuar nga PD. Por kjo nuk është e vërtetë. Po të shikojmë rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare mund të konstatojmë se nga këta lloj votuesish kanë mbetur fare pak. Shumica e votuesve nacionalistë të BK nuk votojnë fare pikërisht nga koalicioni me PD.

Dhe së fundmi bashkëpunimi me PD në koalicione nuk ka qenë shumë i frytshëm për Ballin Kombëtar. Është koha që të provohen alternativa të tjera, ku nacionalizmi dhe programi i BK të zënë vendin që u takon.

Xhemil Meço

Author

Back to Top