Marrëzia e radhës e kryeministrit Edi Rama
Aktualiteti 24 Shtator, 2024, Comments OffNë fjalën e tij në OKB në datën 22 shtator 2024 kryeministri Edi Rama paska thënë se do të përkrah krijimin e « një shteti sovran bektashi » në territorin ku gjendet sot Kryegjyshata Botërore Bektashiane në Tiranë. Tipike për një megalloman që nuk arrin ta vlerësojë peshën e tij, në një fjalim që ka habitur njerëzinë, pasi i bëri lëmsh hebrenjtë gjatë luftës dë dytë, afganët dhe talebanët e para disa viteve, bektashinjtë e gjithë botës dhe Nënë Terezën, duke e vendosur veten në një radhë me Zotin, me Perënditë greke dhe me Skënderbeun dhe sigurisht si një lider i shquar ndërkombëtar që i jep drejtim halleve të Botës nga tribuna e OKB-së, kryeministri Rama me shumë zemërgjerësi shpalli se do t’i japë një copë tokë shtetit të ri bektashian. Tokë të cilën do ta marrë sigurisht nga territori i Shqipërisë.
Nuk është hera e parë që kryeministri Rama tregohet kaq zemërgjerë. Tokë në përdorim i ka dhënë edhe Italisë në Gjadër, që ajo të sjellë aty të gjithë refugjatët që nuk i dëshiron dhe t’ia bëjë peshqesh Shqipërisë. Zemërgjerë ka qenë edhe me Serbinë, në Ballkanin e Hapur të së cilës deshi të fusë gjithë Shqipërinë dhe Kosovën bashkë. Por kësaj radhe zemërgjerësia e tij kalon në një nivel tjetër, sepse shtetit të ri bektashi kërkon t’i japë sovranitet! Pra t’i shkëpusë përfundimisht Shqipërisë një territor për t’ia dhënë një shteti që sot ndoshta do të drejtohet nga një shqiptar bektashi, por nesër fare mirë do të drejtohej nga një bektashi i një vendi tjetër që s’ka të bëjë fare me Shqipërinë.
Ajo që është ironike në këtë histori është se shqiptarët bektashi, të cilët kanë qenë tradicionalisht shtylla e nacionalizmit shqiptar, që kanë luftuar dhe janë sakrifikuar për kombësinë shqiptare, për gjuhën shqipe dhe që kanë luajtur një rol me rëndësi jetike për krijimin e shtetit shqiptar, po keqpërdoren sot për të përmbushur deliret megallomane të kryeministrit Rama, që kërkon të marrë në dorë drejtimin e bektashizmit botëror.
Këto veprime të kryeministrit Rama, që janë në kufijtë e tradhëtisë kombëtare, janë të rrezikshme për Shqipërinë në veçanti dhe për Shqiptarët në përgjithësi.
Në aspektin e brendshëm në Shqipëri janë një goditje kundër bashkjetesës fetare. Përse një komuniteti fetar t’i jepet një e drejtë e tillë? Përse jo të tjerëve? Bashkëjetesa fetare që ekziston sot në Shqipëri, megjithëse shqiptarët nuk janë praktikantë, është rezultat i një evolucioni të gjatë. Ndryshimet e propozuara nga Kryeministri Rama rrezikojnë të prishin disa ekuilibra dhe mund të kenë pasoja të rrezikshme për këtë bashkëjetesë.
Nga ana tjetër, armiqtë e kombësisë shqiptare do të përfitojnë nga kjo situatë. Vorio-epirotët do të kërkojnë shtetin e tyre, sepse gjoja do të ndihen të kërcënuar. Dhe ata nuk do të kërkojnë vetëm disa hektarë tokë, por disa krahina të Shqipërisë së jugut.
Krijimi i një shteti bektashi do të ndryshojë imazhin që ka bota, sidomos ajo perëndimore, për shqiptarët. Sepse do të lexohet si krijimi i një shteti islamik në Europë, megjithë retorikën e kryeministrit Rama për islam të moderuar dhe harmoni fetare. Dhe kjo do të ketë pasoja negative të paimagjinueshme.
Por goditjen më të rrezikshme këto veprime të papërgjegjshme të kryeministrit Rama ia japin Kosovës, e cila përpiqet të mbrojë sovranitetin e saj përballë Serbisë. Përkrahja ndaj Kosovës në Perëndim do të bjerë dhe përkrahja ndaj Serbisë së krishterë do të rritet. Bota e sotme nuk është më ajo e pas Luftës së Ftohtë ku promovoheshin vlerat e tolerancës, harmonisë, bashkëpunimit dhe të drejtave njerëzore. Bota e sotme po shndërrohet në një botë të ndasive etnike, shoqërore, fetare etj. dhe kjo tendencë mund të vazhdojë për disa dekada.
Të gjitha këto veprime të kryeministrit Rama janë në kundërshtim të plotë me interesin kombëtar dhe me orientimin e shqiptarëve drejt demokracisë dhe lirisë. Si të tilla janë të dënueshme dhe, nëse kanë fuqi, institucionet e shtetit shqiptar duhet të merrnin masa ndaj një kryeministri që nuk sillet as më shumë dhe as më pak si Esad Pasha në kohën e tij.
Dhe nëse shteti shqiptar nuk arrin të marrë masa për të mbrojtur tërësinë e tij territoriale ndaj këtyre marrëzive, atëherë do të duhet që shqiptarët ta rrëzojnë nga froni i pushtetit kreyministrin Edi Rama për ta sjellë atë me këmbë në tokë.
Xhemil Meço