Fillojnë burgimet politike në Shqipëri
Aktualiteti 29 Shtator, 2024, Comments OffPara disa ditësh në Shqipëri u dënua me një vit burg deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji me akuzën për « kallëzim të rremë » ndaj një familjari të një ish-ministri socialist të Edi Ramës. Por në të vërtetë « faji » i deputeti Ervin Salianji janë denoncimet e shumta që ai ka bërë ndaj qeveritarëve socialiste dhe kryeministrit Rama për korrupsionin e pashfrenuar, trafiqet e ndryshme dhe vjedhjen e pamasë të pasurive të Shqipërisë.
Plot 32 vjet pas rënies së regjimit komunist, kemi të bëjmë qartas me një dënim politik ndaj një deputeti të opozitës për aktivitetin e tij politik. Ky dënim është një këmbanë alarmi që tregon se vendosja e një diktature neo-komuniste po bëhet realitet. E paralajmëruar nga vjedhja e zgjedhjeve që janë themeli i demokracisë, kapja e institucioneve të shtetit të së drejtës, sot kjo diktaturë po përpiqet t’i mbyllë gojën opozitës, ta tremb atë dhe t’a bëjë që të heshtë. Sepse qëllimi i dënimit dhe burgosjes së deputetit Salianji nuk është thjesht heshtja e tij, por është trembja e opozitës duke e kërcënuar me burg nëse dikush nga radhët e saj guxon dhe denoncon vjedhjet dhe korrupsionin e qeveritarëve socialistë dhe kryeminsitrit të tyre Edi Rama.
Mund të duket e çuditshme që kryeministri Rama, i investuar personalisht në një fushatë denigrimi ndaj deputetit Salianji, duke përdorur madje një fjalor të denjë për një halabak rrugësh dhe kurrsesi një kryeministër, të guxojë të përkrah arrestime politike. Në një kohë kur Shqipëria pretendon të futet në Bashkimin Europian, ku kriteri i demokracisë dhe i shtetit të së drejtës është i panegociueshëm.
Por ajo që duhet kuptuar është se Edi Rama nuk dëshiron që Shqipëria të futet në BE. Veprimet e tij megallomane si iniciativa për krijimin e shtetit bektashi kanë pikërisht këtë qëllim : shndërrimin e Shqipërisë në një vend të papërshtatshëm për Bashkimin Europian.
Edi Rama nuk dëshiron as rritjen e rolit të shqiptarëve në rajon, prandaj hyri me aq dëshirë në Ballkanin e Hapur të kirjuar nga Serbia, që ishte një marrëveshje kryekëput kundër interesave kombëtare dhe strategjike shqiptare.
Në fakt shpjegimi i këtyre qëndrimeve dhe veprimeve është i thjeshtë: Edi Rama e ka kuptuar se njerëz si ai nuk kanë vend në një Shqipëri demokratike dhe të integruar në Perëndim, nuk kanë vend në një Shqiptari të bashkuar që zë vendin që i takon në rajon. Për këtë arsye përpiqet të sabotojë rrugën e Shqipërisë drejt së ardhmes së saj dhe ta mbajë atë të vogël, të izoluar, të nënshtruar ndaj fqinjëve por nën kontrollin e tij dhe të kastës së tij, për ta shfrytëzuar pa mëshirë, sikurse kanë bërë baballarët e tij shpirtërorë të shekullit të kaluar.
Por Shqiptarët nuk mund dhe nuk duhet të lejojnë që e ardhmja e tyre të vidhet nga një kastë neo-komuniste. Është momenti që ata të reagojnë. Opozita shqiptare, pavarësisht ndjeshmërive të ndryshme politike, duhet të tregohet e bashkuar dhe njëzëri ta dënojë këtë dënim politik. Sepse nëse nuk e bën sot, nesër do të jetë radha e çdo opozitari, e çdo individi që nuk do të jetë dakord me kastën neo-komuniste, për të shkuar në burg.
Xhemil Meço