Strategjia e së Djathtës për zgjedhjet e vitit 2025

Aktualiteti Comments Off

Pas disa muajsh do të zhvillohen zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Këto zgjedhje do të jenë jetike për të ardhmen e Shqipërisë, sistemit të saj politik dhe vendit të Shqiptarëve në rajon. Qeveria socialiste e Edi Ramës po e çon Shqipërinë drejt një diktature neo-komuniste dhe po u fryn të gjitha përçarjeve përfshi ato fetare për të realizuar qëllimin e saj.
Opozita e djathtë po përpiqet të rezistojë dhe ka dëshirën për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Por për momentin, megjithë vullnetet e mira, duket mision i pamundur. Qeveria e Edi Ramës, me makinerinë e saj elektorale, me strukturat e saj të patronazhistëve, me përdorimin e burimeve të administratës shtetërore i ka të gjitha mundësitë për ta deformuar edhe njëherë vullnetin e shqiptarëve dhe për të nxjerrë një rezultat zgjedhor sipas qejfit të saj. Këtë e pamë në zgjedhjet e kaluara vendore ku rezultati ishte katastrofik për opozitën. Dhe nuk shikoj sot ndonjë ndryshim thelbësor tek opozita dhe aktiviteti i saj përveç zgjidhjes së ndonjë çështje administrative si ajo e vulës së Partisë Demokratike. Për të përdorur një fjalor sportiv, opozita vazhdon të luaj në mbrojtje dhe nuk arrin të kalojë në sulm.
Opozita e djathtë shqiptare, e cila përfaqsohet sot kryesisht nga Partia Demokratike, paradoksalisht ka qenë e përçarë që nga viti 2021 në radhë të parë për fajin e vet por edhe për shkak të manovrave të qeverisë. Sot, vetëm disa muaj para zgjedhjeve, opozita është akoma më e përçarë dhe e vogël për sfidat që i ka vendosur vetes.
Partia Demokratike ka zgjedhur si strategji mosbindjen civile dhe kërkesën për një qeverie teknike. Nuk besoj se kjo strategji do të funksionojë, madje mund të jetë kundërproduktive dhe ka potencialin që ta zhysë vendin në kaos. Është qartas diçka që Shqiptarët, që i kanë ende të freskta kujtimet e vitit 1997, nuk e duan dhe i largohen.
Mendoj se opozita shqiptare nuk mund të fitojë zgjedhjet e vitit 2025 pa PD. Por gjithashtu mendoj se PD nuk mund t’i fitojë zgjedhjet në formatin aktual. Opozita shqiptare sot ka nevojë të hapet dhe të diversifikohet që të rritet në elektorat. Duket e vështirë që kjo hapje të bëhet brenda PD, e cila ka vuajtur shumë vitet e fundit nga përçarjet dhe mosmarrëveshjet dhe sigurisht do ta shikonte me dyshim çdo prurje të re. Por kjo hapje mund të bëhet jashtë saj dhe PD duhet të pranojë të ndajë opozitën me forca të tjera, nëse dëshiron përmbysjen e regjimit të Edi Ramës.
Në këtë këndvështrim dalja e partive të reja të djathta është një lajm i mirë, sepse rrit numrin e votave të së djathtës dhe shton shanset e fitores së saj.
Tradicionalisht PD e ka luftuar ashpër konkurrencën në opozitën e djathtë dhe nuk e ka lejuar daljen e forcave të reja djathtas. Për shembull, në vitet 1996-1997 u krijua në Shqipëri një aleancë e disa partive të djathta që u quajt E Djathta e Bashkuar Shqiptare (DBSH) me kryetar Prof. Abas Ermenjin. Kjo forcë politike u luftua dhe u godit nga PD me të gjitha mënyrat dhe mendoj se kjo luftë politike nuk ndihmoi askënd. Ka patur më vonë tentativa të tjera për krijimin e forcave të tjera të djathta, të gjitha të goditura më ashpërsi nga PD me arsyetimin që « krijonë përçarje », « dobësojnë të djathtën », « ndihmojnë të majtën » etj.
Dhe ja ku jemi sot me një PD më të dobët se kurrë, dukshëm e paaftë për sfidën e madhe të 2025-ës. Do të kishte qenë sigurisht më mirë që opozita e djathtë të ishte transformuar gradualisht, me daljen e forcave të reja politike, më të përshtatura me zhvillimet aktuale, me një vizion të ri dhe me një elektorat të motivuar.
Ka ende kohë që kjo të bëhet tani. Do të ishte mirë që PD të mos niste « luftën bërthamore » kundër partive të reja të djathta siç ka vepruar gjithmonë, por t’i konsideronte ato si aleatë potencialë me një vizion ndryshe, sepse në fund të fundit rrëzimi i regjimit të Edi Ramës kërkon bashkimin e të gjitha vullneteve të mira.
Ka edhe një arsye tjetër të fortë për hapjen dhe diversifikimin e opozitës: vota e emigrantëve. Nëse emigrantët vendosin të votojnë, vota e tyre mund të jetë vendimtare për fitoren e opozitës. Por ekziston rreziku që emigrantët të vendosin të mos votojnë në shumicën e tyre. Sepse emigrantët kërkojnë të votojnë për alternativa të reja, për njerëz të rinj ku ata të kenë besim që do ta udhëheqin Shqipërinë në drejtimin e duhur. Sinqerisht kjo ofertë politike sot në Shqipëri nuk ekziston dhe mbetet fare pak kohë që ajo të shfaqet.
Humbja e votës së emigrantëve do të ishte një shans i humbur për opozitën dhe nuk do të kishte shumë arsye që rezultati i zgjedhjeve për Kuvend të vitit 2025 të ishte i ndryshëm nga ai i vitit 2021 apo më keq ai i vitit 2023.
Është koha e fundit që opozita e djathtë shqiptare të hapet, të riformatohet dhe të shndërrohet në një alternativë të besueshme të shpresës për të ardhmen për Shqiptarët.

Xhemil Meço

Author

Back to Top