Përse Shqiptarët nuk e festojnë 29 Nëntorin

Aktualiteti, Historia Comments Off

29 Nëntori është një festë zyrtare në Shqipëri dhe quhet si « Dita e Çlirimit » të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë në vitin 1944. Normalisht festa e çlirimit është për qytetarët e një vendi një ditë gëzimi dhe hareje. Por nuk ndodh kështu në Shqipëri, ku edhe sot, 80 vjet më pas kësaj date ka debate të forta dhe një ndarje të madhe midis atyre shqiptarëve që e festojnë dhe atyre shqiptarëve që nuk e festojnë këtë ditë. Është pra një ditë që nuk bashkon por një ditë që i ndan shqiptarët.
Për ta kuptuar arsyen e kësaj ndarje, le t’i kthehemi pak historisë.
Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste më 7 prill 1939 duke shkaktuar lindjen e një lëvizje rezistence që u shfaq me manifestime dhe demostrata të mëdha të rinisë shqiptare që në muajt e parë të pushtimit dhe vazhdoi me luftë të armatosur deri në çlirimin e vendit. Rezistenca shqiptare përbëhej nga dy grupime: nga njëra anë nacionalistët me Ballin Kombëtar, Legalitetin dhe forca të tjera krahinore dhe nga ana tjetër komunistët e drejtuar nga partia komuniste. Në konferencën e Mukjes në 1 dhe 2 Gusht 1943 komunistët dhe nacionalistët bënë një marrëveshje për luftë të përbashkët për çlirimin e Shqipërisë Etnike. Por kjo marrëveshje, nën ndikimin e komunistëve jugosllavë, u shkel vetëm pas disa javësh nga komunistët shqiptarë të cilët i hapën luftë Ballit Kombëtar. Kështu nisi Lufta Civile e cila zgjati rreth një vit dhe ku Balli Kombëtar humbi rreth 3000 antarë të tij. Por komunistët, qëllimi i vërtetë i të cilëve ishte revolucioni komunist dhe marrja e pushtetit, nuk u mjaftuan me luftën ndaj Ballit Kombëtar. Komunistët luftuan kundër çdo kundërshtari politik, kundër çdo zëri kundër apo mendimi ndryshe. Kjo bëri që gjatë Luftës komunistët të bënin ekzekutime masive pa gjyq, të digjnin fshatra të tëra dhe të krijonin një klimë terrori me atentate dhe metoda të tjera. Vetëm « çlirimi » i Tiranës shkaktoi ekzekutimin e qindra shqiptarëve të pafajshëm. Shumë shqiptarë u larguan në atë periudhë nga vendi për të mos u kthyer më kurrë dhe u vendosën kryesisht në Perëndim.
Në këto kushte erdhi ajo që quhet « Dita e Çlirimit » e cila përkon në fakt edhe me ditën e fitores së revolucionit komunist në Shqipëri dhe me vendosjen e diktaturës më të egër komuniste në Europë. Sepse komunistët e vazhduan « luftën e tyre kundër armikut” edhe pas « çlirimit ». Ekzekutimet pa gjyq vazhduan edhe në muajt dhe vitet e para pas « çlirimit ». Më vonë filluan gjyqet publike ku të ashtuquajturit « armiq të popullit » dënoheshin me pushkatim apo me burgime të rënda. Pa folur për torturat çnjerëzore që ishin sistematike gjatë fazës së hetuesisë por edhe gjatë burgimit. Rreth 6000 vetë janë pushkatuar pas 29 nëntorit 1944 në Shqipëri, me mijëra familje janë internuar dhe me dhjetra mijë persona janë burgosur për arsye politike.
Komunistët e vazhduan terrorin mbi shqiptarët që nga viti 1944 deri në vitin 1990 në kuadrin e asaj që ata e quanin « lufta e klasave ». Kryesisht mbi familjet e ish-kundështarëve të tyre politikë por edhe mbi këdo që guxonte të mendonte apo të shprehej ndryshe, domethëne në kundërshtim me « vijën e partisë ». Komunistët nuk hezitonin të ekzekutonin apo të burgosnin edhe shokët e tyre komunistë, në një luftë makabre brenda llojit.
Dita e çlirimit solli në të vërtetë vendosjen e një diktature komuniste e cila i mbajti shqiptarët për disa dekada të izoluar, të shtypur, të shfrytëzuar, të varfër dhe pa liri. Njerëzit dënoheshin me burgime të rënda për arsye absurde. Nëse dikush thoshte se nuk ka ka mish apo djath në dyqan, nëse dikush dëgjonte një radio të huaj, nëse thoshte një fjalë që nuk i shkonte për shtat partisë apo nëse dikush tentonte të largohej nga kufiri i Shqipërisë sepse nuk duronte dot më diktaturën.
Natyrisht që 29 nëntori festohej me pompozitet gjatë diktaturës komuniste dhe ishte festa kryesore e saj. Për këtë arsye shqiptarët që kanë jetuar në komunizëm e identifikojnë këtë ditë me diktaturën komuniste.
Pikërisht për këtë arsye shumica e shqiptarëve nuk e festojnë 29 nëntorin. Ka vetëm një pjesë të vogël, ata që kanë qenë të lidhur me partinë komuniste dhe ata që kanë përfituar nga komunizmi, që vazhdojnë ta festojnë.
Qeveria socialiste shqiptare, e cila sot drejtohet nga nipi i një ish-antari të Byrosë Politike të partisë në kohën e diktaturës komuniste, përpiqet prej sa është në pushtet ta promovojë këtë ditë dhe t’ua imponojë shqiptarëve festimin e saj. Këto përpjekje bëhen në kuadrin e një plani më të madh: rivendosjen e një diktature neo-komuniste në Shqipëri. Partia socialiste e cila prej 11 vjetësh është në pushtet me anë të tjetërsimit të votës së shqiptarëve, kërkon ta mbajë këtë pushtet përjetësisht. Revizionimi i historisë, harrimi i tmerreve të diktaturës komuniste, paraqitja e kësaj diktature si një « periudhë normale me disa gabime » është një mjet për t’i bërë shqiptarët që ta pranojnë vendosjen e neo-diktaturës. Legjitimimi i festimit të 29 nëntorit duke u mbështetur vetëm në aspektin « çlirim nga i huaji » por në realitet duke pranuar edhe aspektin e dakordësisë me diktaturën komuniste, legjitimon edhe vendosjen e diktaturës neo-komuniste të socializmit të rilindur.
Përveç 29 nëntorit për këtë qëllim përdoret edhe shfaqja pa kufizime e filmave propagandistikë të diktaturës komuniste, glorifikimi i asaj diktature, refuzimi i njohjes së krimeve të komunizmit, vazhdimi i propagandës kundër ish-kundërshtarëve politikë dhe përcjellja e një versioni të gënjeshtërt të historisë, të bazuar te propaganda komuniste, brezave të rinj.
Këto janë pra arsyet historike dhe aktuale që bëjnë që shqiptarët nuk e festojnë 29 nëntorin. Është për të ardhur keq, sepse në vitet 1939-1944 rinia shqiptare u ngrit në këmbë kundër pushtimit dhe u angazhua në një rezistencë të fuqishme ndaj të huajit. Megjithëse të ndarë në komunistë dhe nacionalistë, shqiptarët u organizuan dhe i dhanë goditje të forta të armatosura armikut duke ia bërë të pamundur qëndrimin në trojet shqiptare dhe duke e detyruar si përfundim që të largohej. Një akt i tillë duhet përkujtuar dhe duhet shënuar në histori. Por jo me 29 nëntorin i cili ka një ngarkesë të madhe të ideologjisë komuniste dhe shihet si dita e fitores së komunizmit më shumë se « dita e çlirimit ». Historianët mund të gjejnë një ditë tjetër, më të përshtatshme.
Por para se të arrihet që të gjithë shqiptarët të festojnë një « Ditë të Çlirimit » duhet të jenë realizuar disa parakushte. Në radhë të parë duhet garantuar demokracia shqiptare dhe evituar rreziku i një diktature neo-komuniste. Kjo bëhet me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në radhë të dytë shteti shqiptar duhet të dënojë diktaturën komuniste. Jo thjesht me deklarata të njërit apo të tjetrit, por me akte institucionale. Në Shqipëri do të duhej të kishte një ditë zyrtare të përkujtimit të viktimave të diktaturës komuniste. Nga ana tjetër duhet ndalur fushata për glorifikimin e komunizimit dhe veprimet që shkojnë në këtë drejtim duhet të dënohen me ligj, ashtu sikurse është vepruar në vendet europiane për propagandën naziste. Nga ana tjetër do të duhej që historianët shqiptarë të studionin seriozisht dhe në mënyrë të paanshme periudhën e Luftës II dhe të diktaturës komuniste për të arritur në një version sa më pranë të vërtetës të kësaj historie, version i cili të mësohej në shkolla. Nuk ka më mirë se e vërteta për të ndihmuar brezat e ardhshëm që të mos përsërisin të njëjtat gabime.
Vetëm kur të jenë realizuar këto parakushte shqiptarët do të mund të festojnë me dëshirë « Ditën e Çlirimit » nga pushtuesit e huaj. Por për të arritur deri atje do të duhet kohë dhe punë në drejtimin e duhur.

Xhemil Meço

Author

Back to Top