Koha për një sistem të ri politik
Aktualiteti 6 Janar, 2025, Comments OffNë datën 27 dhjetor 2024 u shpall në Tiranë krijimi i një koalicioni tjetër të opozitës midis partive « Djathtas 1912 » dhe LZHK. Është ky një lajm i mirë për demokracinë shqiptare dhe një shpresë për të dalë nga sistemi politik ramizian i instaluar në Shqipëri në vitet ’90.
Sot të gjithë shqiptarët e shikojnë me sytë e tyre se ku e ka zhytur vendin ky sistem politik. Korrupsioni, kriminaliteti dhe trafiqet lulëzojnë. Nuk kalon një ditë pa dëgjuar skandale për ministra, deputetë dhe drejtues të Partisë Socialiste në pushtet. Aq sa nuk e dimë nëse ka ende njerëz të pa implikuar në korrupsion në këtë parti. Një anekdotë qarkullon këto ditë se a do të mundet partia socialiste të gjejë kandidatë për deputetë që të mos kenë probleme me drejtësinë ? Nga ana tjetër edhe forca të tjera politike, sot në opozitë, duket se kanë probleme me drejtësinë për çështje korrupsioni dhe abuzime në kohën kur kanë qenë në pushtet. Ndoshta jo në nivelin e partisë socialiste që i ka thyer të gjitha rekordet. Pra i gjithë sistemi politik shqiptar është i prekur nga kjo « sëmundje ».
Sistemi politik aktual në Shqipëri ka treguar se është një sistem anti-kombëtar. Partia Socialiste ka bashkëpunuar hapur me Serbinë kundër Kosovës dhe çështjes kombëtare shqiptare. Marrëveshja e « Ballkanit të hapur » është prova më e mirë për këtë. Kurse Partia Demokratike, e cila nganjëherë përdor retorikë patriotike, ka dëshmuar se në të vërtetë çështja kombëtare nuk i intereson. Këtë e tregoi më së miri me përkrahjen e kandidatëve vorio-epirotë në zgjedhjet lokale në Himarë.
Nga ana tjetër Partia Socialiste e ka çuar vendin në pragun e një diktature neo-komuniste duke ndërtuar një sistem manipulimi të zgjedhjeve me anë të administratës, bandave kriminale dhe patronazhistëve, duke përdorur blerjen e votës dhe intimidimin e votuesve. Kjo situatë ka ardhur në radhë të parë nga projekti i kësaj partie për të rikthyer apo « rilindur » diktaturën komuniste, projekt që bën pjesë në një plan më të madh, i cili u adoptua nga komunistët shqiptarë në fillim të viteve ’90 kur e panë se nuk mund t’a mbanin më pushtetin. Ky plan, i cili njihet edhe me emrin « Katovica», përcaktonte strategjinë që do të ndiqnin komunistët në vendet e Lindjes për të ruajtur pushtetin në kushtet e ndryshimeve demokratike që po vinin. Duket se ky plan, i inciuar në Shqipëri nga presidenti i fundit komunist Ramiz Alia, është zbatuar aty me suksesin më të madh, sepse asnjë vend i Lindjes nuk është më pranë kthimit në një diktaturë neo-komuniste se sa Shqipëria!
« Katovica» parashikonte që partitë komuniste të lëshonin vetëm në dukje pushtetin politik por ta kontrollonin atë duke krijuar me dhjetra parti që do t’i kontrollonin nëpërmjet njerëzve që do të infiltronin në to. Nga ana tjetër të fitonin pushtetin ekonomik. Dhe brenda disa legjislaturave do të rimerrnin tërësisht nën kontroll pushtetin politik. Është pikërisht ajo që po bën sot Partia Socialiste, e cila pas 12 vjetësht në pushtet, dalngadalë po merr nën kontroll të gjitha institucionet e shtetit shqiptar dhe synon të qëndrojë në pushtet pafundësisht.
Në këtë kuadër, një pasojë me rëndësi e “Katovicës” është edhe zbrazja e Shqipërisë nga rinia e saj, gjë e cila nxitet dhe përkrahet nga Partia Socialiste me të gjitha metodat. Kjo bëhet sepse, ashtu sikurse Ramiz Alia në vitin 1990 lejoi hapjen e ambasadave për të ulur presionin popullor, edhe sot Partia Socialiste për të arritur qëllimin e saj të vendosjes së një diktature neo-komuniste, ka nevojë që ta zvogëlojë presionin popullor faktori kryesor i të cilit janë të rinjtë. Një pasojë tjetër e “Katovicës” është mos-rinovimi i klasës politike shqiptare, sepse sistemi ramizian në mënyrë të qëllimtë nuk e lejon këtë duke e ricikluar pushtetin midis dy partive që i kontrollon. Një ndihmesë të madhe i jep këtu Kodi Zgjedhor i cili nuk lejon ose e vështirëson shumë daljen e forcave të reja politike.
« Katovica » parashikon që sistemi politik ramizian në Shqipëri të përfundojë me rikthimin definitiv të komunizmit në pushtet. Nëse kjo do të ndodhte, ditë të zeza dhe tragjedi të reja i presin Shqipërinë dhe Shqiptarët, sepse komunistët, për të ruajtur pushtetin dhe privilegjet e tyre, nuk do të hezitojnë të bashkëpunojnë me armiqtë e Shqipërisë.
Shtrohet pyetja: A është e mundur të të dilet nga sistemi ramizian? A është e mundur të dilet nga rrethi vicioz i dy partive të mëdha politike të cilat mbizotërojnë jetën politike shqiptare prej 35 vjetësh?
Përgjigja është po, është e mundur, por kjo kërkon vullnetin e mirë të një shumice shqiptarësh. Të gjithë Shqiptarët e shikojnë sot se ku po i shpie sistemi ramizian. Në kundërshtim të plotë me atë që deklarojnë bijtë e tij, ky sistem po e largon Shqipërinë nga Europa, nga Amerika dhe nga demokracia. Për fat të mirë Shqiptarët sot e kanë në dorë një mjet për të dalë nga ky makth korrupsioni, kriminaliteti dhe pasigurie për të ardhmen. Ky mjet është vota e tyre në zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit !
Natyrisht për të dalë nga sistemi ramizian duhet votuar kundër partisë socialiste në pushtet. Por kjo nuk mjafton. Llogjika e votimit « zgjedhim më pak të keqen » nuk të shpie larg, por vetëm do i bëjë Shqipërisë një xhiro tjetër në sistemin ramizian. Deri në « betejën » e radhës. Është koha për të dalë nga ky rreth vicioz, nga kjo « ditë pa fund » dhe të ecim përpara me forca të reja politike.
Do të kishte qenë tragjike për Shqiptarët sikur edhe kësaj here do t’iu duhej të zgjidhnin vetëm midis dy partive të sistemit ramizian. Por fatmirësisht kësaj radhe ka një mundësi të re sepse kanë dalë disa parti të reja që janë jashtë këtij sistemi. Pikërisht për këto parti duhet të votojnë Shqiptarët nëse duan të ecin përpara dhe të mos mbeten ende në rrethin vicioz të Katovicës.
Koalicioni i ri « E djathta 1912 » – LZHK është një lëvizje politike në drejtimin e duhur. Le të shpresojmë që ky koalicion të zgjerohet, sepse vetëm kështu do të mund të bëhet një alternativë serioze ndaj sistemit ramizian. Në këtë koalicion e kanë vendin edhe partitë nacionaliste të dala nga Balli Kombëtar dhe Legaliteti, prandaj nuk duhet të hezitojnë t’i bashkohen sa më parë.
Në fakt nuk është hera e parë që në Shqipëri paraqiten forca politike apo koalicione që përpiqen të dalin nga sistemi ramizian. Koalicioni i parë që ka provuar t’a bëjë këtë ka qenë E Djathta e Bashkuar Shqiptare (DBSH) e cila u krijua në vjeshtën e vitit 1996 gjatë zgjedhjeve lokale në Shkodër. DBSH zgjodhi në krye të saj Profesor Abas Ermenjin i cili e drejtoi atë disa vite me radhë. Në atë kohë ky koalicion nuk arriti të fitojë më shumë se 7% të votave, sepse u luftua me egërsi nga të dyja anët. Por DBSH tregoi se një alternativë ndaj sistemit ramizian është e mundur dhe se ishte vetëm çështje kohe përmbysja e atij sistemi.
Sot, pas 30 vjetësh, Shqiptarët kanë ndryshuar shumë prandaj është pikërisht koha për të dalë nga kthetrat e sistemit ramizian. Një shumicë e madhe Shqiptarësh sot e kuptojnë fare mirë se ky sistem ka dështuar në të gjitha drejtimet dhe nuk ka të ardhme. Reagimi i tyre është mos pjesëmarrja në votime sepse nuk kanë asnjë shpresë tek ky sistem. Por kjo nuk është zgjidhja. Sot është koha që të gjithë të votojmë dhe t’i japim fitoren një alternative të re demokratike dhe kombëtare, jashtë sistemit ramizian. Vetëm kështu mund ta shpëtojmë dhe ta konsolidojmë demokracinë në Shqipëri, vetëm kështu Shqipëria dhe Shqiptarët mund të shkojnë përpara, drejt zgjidhjes së çështjes kombëtare dhe drejt një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.
Xhemil Meço