SPAK-u – shtyllë e rezistencës së shtetit shqiptar

Aktualiteti Comments Off

SPAK-u ose Struktura e Posaçme Anti Korrupsion arrestoi javën e kaluar kryetarin socialist të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj me akuzën për korrupsion dhe pastrim parash. Është ky një hap i madh në luftën kundër korrupsionit nga zyrtarë të lartë në Shqipëri. Është njëkohësisht edhe një akt i guximshëm i drejtësisë shqiptare e cila tradicionalisht është ndodhur nën presionin e politikës dhe ka punuar me shumë vështirësi në Shqipëri.

Arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës tregon se shteti shqiptar ende nuk ka rënë dhe përpiqet t’i rezistojë tentativave të partisë socialiste dhe kryeministrit Edi Rama për ta kontrolluar atë tërësisht dhe për të vendosur një diktaturë neo-komuniste në Shqipëri. Partia socialiste ka 12 vjet në pushtet dhe synon të fitojë edhe mandatin e saj të 4-t radhazi në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë në datën 11 maj. Edi Rama dhe partia socialiste kontrollojnë sot pushtetin parlamentar dhe atë ekzekutiv, por me sa duket ende jo drejtësinë shqiptare.

SPAK-u është një strukturë e pavarur e drejtësisë e krijuar në vitin 2019 dhe e votuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2016. Qëllimi i tij është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili në Shqipëri ka arritur nivele shumë të larta në shoqëri dhe në qeverisje. SPAK-u ka hetuar dhe dënuar shumë personazhe të botës së krimit të organizuar, por edhe disa politikanë, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga partia socialiste në pushtet. Dhe jo rastësisht, sepse shumë zyrtarë të kësaj partie e kanë përdorur pushtetin jo vetëm për t’u pasuruar individualisht, por edhe për të blerë dhe deformuar votën e shqiptarëve me qëllimin që partia socialiste të fitojë zgjedhjet dhe të qëndrojë në pushtet.

Hetimet kanë treguar se partia socialiste ka bashkëpunuar gjithashtu rregullisht me botën e krimit në periudhën e zgjedhjeve. Nga ana tjetër gjatë zgjedhjeve partia socialiste ka përdorur rregullisht administratën shtetërore si dhe patronazhistët për ta ndikuar dhe deformuar votën e shqiptarëve, në shkelje të plotë të legjislacionit ekzistues.

Është e vërtetë që partia socialiste ka votuar në vitin 2016 pro krijimit të SPAK-ut. Por me sa duket duke menduar se do të mund t’a përdorte kundër kundërshtarëve të saj politikë dhe se kjo strukturë kurrë nuk do të guxonte të prekte zyrtarët e saj. Por me sa duket SPAK-u punon profesionalisht dhe nëse zyrtarët e një partie, qofshin këta edhe të partisë socialiste, shkelin ligjin, ata dënohen. Është funksionimi normal i drejtësisë në çdo vend ku funksionon shteti ligjor. Por me sa duket këtë e kanë të vështirë ta pranojnë politikanët në Shqipëri, të cilët refuzojnë drejtësinë dhe bëjnë rolin e viktimës edhe kur vërtetohet që kanë vjedhur apo shkelur ligjin.

Puna e SPAK-ut është një shpresë për shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe për ruajtjen e demokracisë së brishtë shqiptare. Është edhe një shpresë që zgjedhjet e 11 majit të jenë të lira dhe të pa deformuara nga pushteti socialist i cili pas këtyre zgjedhjeve synon t’i kapë të gjitha pushtetet në Shqipëri për të instaluar një diktaturë neo-komuniste, për t’a larguar atë nga rruga europiane dhe për t’a futur në tragjedi të reja.

Për këto arsye të gjithë duhet ta kuptojmë rëndësinë absolute të këtyre zgjedhjeve dhe të votojmë kundër neo-diktaturës dhe pro alternativave demokratike. Shqipëria sot është në udhëkryq dhe u takon shqiptarëve të vendosin për drejtimin që duan të marrin. Dhe sigurisht ky drejtim nuk do të jetë drejt një diktature të re por do të jetë drejt demoracisë dhe shtetit ligjor.

Xhemil Meço

Author

Back to Top