Thirrje emigrantëve shqiptarë
Aktualiteti 21 Shkurt, 2025, Comments OffTë nderuar bashkatdhetarë,
Në datën 11 maj 2025 zhvillohen zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Këto zgjedhje kanë një rëndësi jetike për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. Sepse Shqipëria ndodhet sot vetëm një hap larg nga një diktaturë neo-komuniste.
Partia socialiste në pushtet prej 12 vjetësh dhe kryetari i saj Edi Rama synojnë që të fitojnë në këto zgjedhje një mandat të katërt qeverisës, mandat i cili do të ishte goditja përfundimtare ndaj demokracisë së brishtë në Shqipëri dhe do të ishte në të vërtetë instalimi i një diktature neo-komuniste, e ngjashme me diktaturën 50-vjeçare të komunizmit në Shqipëri.
Shenjat e para të kësaj diktature ju tashmë i keni parë: vënia e administratës dhe e shtetit shqiptar në shërbim të partisë socialiste, rotacioni i pamundur politik, glorifikimi i epokës së diktaturës komuniste me filmat e Kinostudios « Shqipëria e Re », me përkujtimin e festave të diktaturës, me deklaratat e Edi Ramës se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë, me versionin komunist të historisë në tekstet shkollore, me vendosjen në krye të Akademisë së Shkencave të një ish ministri të PPSH-së etj.
Nëse partia socialiste do të fitojë zgjedhjet e 11 majit, asgjë nuk do ta pengojë më atë që të instalojë një diktaturë neo-komuniste në Shqipëri dhe t’i kthejë Shqiptarët 35 vjet prapa në kohë. Nëse kjo ndodh, edhe ato institucione të shtetit shqiptar që ende nuk i kontrollon plotësisht, partia socialiste do t’i shkatërrojë dhe do të ketë në dorën e saj të gjitha pushtetet, gjë që do t’i mundësojë asaj që ta kontrollojë plotësisht jetën e Shqiptarëve.
Por cilat do të ishin konkretisht pasojat e rivendosjes së një diktature neo-komuniste në Shqipëri?
Në radhë të parë zgjedhjet do të shndërrohen në një formalitet ku do të mund të fitojë vetëm partia socialiste me rezultate « bindëse » mbi 90%.
Në radhë të dytë do të vazhdojë glorifikimi i epokës komuniste dhe i arritjeve të tanishme të partisë socialiste, e cila do të fuqizojë edhe më shumë kastën e të privilegjuarve të administratës që ka krijuar tashmë, kastë me anë të së cilës do të kontrollojë, do të shtypë dhe do të shfrytëzojë shqiptarët, si në kohën e diktaturës komuniste.
Në radhë të tretë, mungesa e demokracisë do të bëjë që Shqipëria të mos e ndjekë më rrugën drejt Bashkimit Europian, për të cilin sistemi demokratik i një vendi antar është kusht themelor.
Dalja nga rruga drejt Bashkimit Europian do të ketë disa pasoja, një nga të cilat do të jetë ndalimi i lëvizjes së lirë midis vendeve të BE dhe Shqipërisë.
Nga ana tjetër, partia socialiste do të detyrohet të gjejë aleatë të tjerë për të mbijetuar ekonomikisht, aleatë të cilët do të jenë sigurisht vende autokratike. « Ballkani i hapur » është një shembull i aleancave drejt së cilave mund ta shpjerë Shqipërinë partia socialiste.
Në varësi të agresivitetit të politikave që mund të jetë e detyruar të ndjekë partia socialiste për të mbajtur pushtetin, ajo mund ta shpjerë Shqipërinë drejt izolimit, si në kohën e komunizmit, dhe ndarjen për së gjalli të Shqiptarëve brenda dhe jashtë kufirit.
Vendosja e një diktature neo-komuniste do të ishte një katastrofë për Shqipërinë dhe do të shkaktonte tragjedi të reja për kombin shqiptar.
Zgjedhjet e 11 majit janë ndoshta mundësia e fundit për ta shmangur këtë skenar dramatik për Shqipërinë.
Por zgjedhësit në Shqipëri, të cilët luftojnë për mbijetesë dhe ndodhen nën presionin e partisë socialiste, të administratës shtetërore dhe të patronazhistëve, e kanë të vështirë t’i japin fitoren opozitës, e cila punon në kushte shumë të vështira, në një vend që kontrollohet nga një regjim para-diktatorial.
Prandaj sot, e vetmja shpresë për shpëtim janë emigrantët shqiptarë, të cilët për herë të parë kanë fituar të drejtën e votimit nga jashtë dhe me votën e tyre mund t’i japin fitoren opozitës.
Pikërisht për këtë arsye, duke qenë edhe vetë emigrant, iu bëj thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë, kudo që ndodhen, që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 11 majit dhe të votojnë për ta shpëtuar Shqipërinë nga neo-diktatura komuniste që e kërcënon.
Vetëm duke i dhënë fitoren opozitës shqiptare Shqipëria mund të qëndrojë në rrugën e demokracisë, të zhvillimit, të përparimit dhe të begatisë së kombit shqiptar. Dhe të paktën këtë votë për shpëtimin e saj, ne emigrantët ia kemi borxh Shqipërisë, si vendi që na lindi, na rriti dhe na dha emrin Shqipëtar.
Xhemil Meço